March 3, 2024

Kidnapimi i policëve, Cramon, Vuçiç-it: Autokratët kërkojnë mjete për ta larguar vëmendjen nga problemet në shtëpi

Raportuesja në Parlamentin Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka reaguar pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga xhandarmëria serbe, ku ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.

Von Cramon përmes një cicërime në Twitter, ka pyetur se “çfarë bëjnë autokratët kur janë nën presion brenda vendit?”, duke iu referuar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pasi i njëjti që disa muaj është duke u përballur me protesta masive nga opozita serbe.“Ata kërkojnë mënyra dhe mjete për të larguar vëmendjen nga problemet në shtëpi”, shkroi ajo në Twitter, duke shtuar se “një rast klasik i kësaj duket të jetë incidenti i djeshëm në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ndërkaq, eurodeputetja gjermane theksoi se “edhe nëse ky operacion i nënshtrohet ligjërisht njoftimit, është e paligjshme të hysh në territorin e Kosovës me forcat speciale të policisë serbe dhe të lidhësh policët si kriminelë lufte, t’i çosh në Beograd dhe arrestoni ata atje”.

“Përgatitja për t’u bërë anëtare e BE-së, duhet të ndjekë sundimin e ligjit, duke respektuar ligjin ndërkombëtar, respektoni marrëveshjet dhe lironi policët sa më shpejt”, potencoi ajo.

Tutje, von Cramon pohoi se “në rrjedhën e një de-përshkallëzimi të mëtejshëm, ndalimi i njëanshëm i importit nga Serbia i vendosur nga Kosova gjithashtu duhet të hiqet”.

Ndryshe, 3 policë të Kosovës janë kidnapuar nga xhandarmëria serbe.

Në vazhdën e tensioneve të krijuara në Veri të Kosovës, që nga 26 maji, kur serbët lokalë kundërshtuan në mënyrë të dhunshme që kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit të futeshin në zyrat e tyre, pasditen e së mërkurës, janë rrëmbyer tre policë të Kosovës nga Serbia.

Për rrëmbimin e policëve të Kosovës, Policia e Kosovës, kryeministri, Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, thanë se ka ndodhur brenda territorit të Republikës së Kosovës, për dallim nga pretendimi i Serbisë që deklaruan se një gjë e tillë ka ndodhur brenda territorit të Serbisë.

Fillimisht lajmin e konfirmoi Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Në thellësi të territorit të Republikës së Kosovës, në zonën kufitare në veri të vendit dyshohet se janë kidnapuar tre zyrtarë kufitar patrullues”, njoftoi policia e Kosovës.

Sipas njoftimit, “njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë”.

“Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së. Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion”.

“Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe”.

“Me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës. Po ashtu edhe media të ndryshme serbe kanë raportuar se pjesëtarët e njësiteve speciale serbe, kanë arrestuar zyrtarët e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *