
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media është shprehur i habitur me mos-reagimin e Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, pas kidnapimit të tre policëve, sipas tij, thellë brenda territorit të Kosovës.
Sipas Kurtit heshtja e komunitetit ndërkombëtar në këtë moment nuk i kontribuon as de-eskalimit as hetimit e as drejtësisë.
“Nuk ka kuptim që për një ngjarje në territorin e Kosovës as të nesërmen të mos kemi deklaratë zyrtare, po mund të jetë edhe shkelje e Rezolutës 1244, nuk dyshojë për atë gjë ne e përfaqësojmë Republikën e Kosovës, por është komandanti i KFOR-it i cili për çdo deklaratë e përmend nja dy here rezolutën 1244”.
“Ajo çfarë mua vazhdon të më habisë është fakti që as të nesërmen me këtë të vërtetë që ne po e shpërfaqim para juve nuk del zyrtarisht KFOR-i. Cili është kuptimi që të nesërmen e një ngjarjeje që nuk ishte në mbrëmje por në mesditë KFOR-i ende nuk del me shpjegim zyrtar se ku është ky vend”.
“Ky vend është qartazi në Republikën e Kosovës dhe a dini çfarë edhe në këtë moment ne jemi në atë vend, nuk është Serbia”.
“Kidnapimi i Policëve të Kosovës ka ndodhur thellë në territorin e Kosovës dhe i cili është pra një kilometër larg kufirit që i bie të jetë pjesa veri perëndimore, pastaj 670 metra larg që i bie pjesa veriore dhe në pjesën jugperëndimorë 300 metra”.
“Në vendin e ngjarjes kanë qenë KFOR-i ka qenë Policia e Kosovës aty kanë gjetur gjurmët e çizmeve të huaja e në drejtim të Serbisë, por janë gjetur edhe pranga lidhëse të plastikës, pra si është e mundur që ata pretendojnë që janë lidhur në Serbi kur lidhëset e tyre të plastikës si pranga janë pikërisht në këtë vend”.
Kurti gjithashtu ka bërë thirrje ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin.
“I bëjmë thirrje ndërkombëtarëve të bëjnë trysni mbi Beogradin dhe bëjmë thirrje për lirimin e policëve. Serbia nuk është që po na befason, nuk ka ndryshuar nga apetitet e saj. Ajo që po na befason është toleranca dhe heshtja e ndërkombëtarëve ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht po kërkon destabilizim”, ka thënë Kurti në konferencë.
Kosova rrit nivelin e gatishmërisë për arsyet e sigurisë, Kurti: Janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë
Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ka deklaruar se institucionet e rendit dhe të sigurisë e kanë rritur nivelin e gatishmërisë për arsyet e sigurisë.
“Si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet e automjeteve që vinë nga Serbia sidomos ato transportuese”, ka thënë fillimisht Kurti.
Ndryshe të enjten në mëngjes është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurisë pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë nga forcat serbe.
Pas mbledhjes Kurti ka bërë të ditur se me anëtarët e Këshillit të Sigurisë kanë diskutuar për situatën e përgjithshme të sigurisë me theks te katër komunat veriore dhe brezit kufitar me Serbinë, institucionet e sigurisë dhanë vlerësimet e tyre dhanë dhënat e tyre më të fundit dhe gjithashtu propozuan rekomandime.
“Rasti i djeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës që po lufton krimin dhe intencë për destabilizim në kohën kur ne tashmë kemi propozuar planin 5-pikësh për de-eskalim dhe për normalizim”./AP