April 24, 2024

Amerika kërkon Iirimin e pakushtëzuar të tre poIicëve të Kosovës

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller ka kërkuar lirimin e pakushtëzuar të tre policëve të kidnapuar nga forca speciale serbe në veri të vendit.

Duke folur në një konferencë për media, Miller ka thënë se Serbia duhet t’i lirojë pa kushte tre zyrtarët e Policisë së Kosovës, përderisa ka kërkuar hapa konkretë de-përshkallëzimi nga Kosova dhe Serbia.“Dua t’i qartësoj pritjet tona nga të dyja palët. Unë besoj që të dyja, edhe Kosova edhe Serbia, duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm de-eskalimi të tensioneve dhe kjo përfshinë edhe lirimin e pakushtëzuar të tre policëve të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Miller ka thënë se të dyja palët duhet t’i përmbahen planit të BE-së për de-përshkallëzim, duke kërkuar edhe një herë që kryetarët e komunave veriore t’i kryejnë detyrat e tyre nga lokacione alternative.

“Ne besojmë që të dyja palët duhet t’i përmbahen planit trepikësh nga BE pa vonesa. Si pjesë e kësaj, kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurohet që kryetarët e zgjedhur t’i kryejnë detyrat e tyre tranzitore në lokacione alternative dhe të tërheq forcat policore nga objektet komunale”, ka thënë tutje ai.

Miller e ka dënuar edhe një herë dhunën e protestuesve ndaj forcave të KFOR-it/NATO-s, forcave të sundimit të ligjit dhe gazetarëve.

“Dhe do të thoja që ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt me të dyja palët, por edhe me partnerët rajonalë. Sekretari Blinken ka biseduar për këtë çështje me partnerët rajonalë. Këshilltari Chole po ashtu ka pasur kontakte të drejtpërdrejta dhe të tjerë zyrtarë nga Departamenti i Shtetit”, ka deklaruar ai.

Kur është pyetur nga gazetarët për mundësinë e sanksioneve si mënyrë për t’i parandaluar tensionet në Kosovë, ai ka thënë se nuk dëshiron të parashikojë veprime të tilla në këtë kohë.

“Nuk dua të parashikoj veprime tani. Fokusi ynë është te pritjet tona nga të dyja palët, që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për shmangien e tensioneve dhe t’i përmbahen planit trepikësh të BE-së”, ka deklaruar Miller.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *