September 22, 2023

Kearns kritikon DASH-in: Po shohim vetëm ekuilibër për një akt agresioni nga Serbia

Deputetja dhe kryetarja e komisionit për Politikë të Jashtme të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e saj në “Twitter”, ka thënë se kërkesa e Departamentit amerikan të Shtetit për lirimin e tre policëve kosovarë, trenon për “mungesën e përgjithshme të ekulibrit”.

“Ky është lloji i bilancit që nuk e pamë nga SHBA-ja disa javë më parë. Por fatkeqësisht tregon mungesën e përgjithshme të ekuilibrit. Një akt agresioni të ashpër nga Serbia dhe ne shohim ekuilibër… Një veprim i gabuar e përshkallëzues i Kosovës dhe SHBA-ja vendos masa ndaj Kosovës”, shkroi ajo.Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka thënë të enjten se Serbia duhet t’i lirojë pa kushte tre pjesëtarët e Policisë së Kosovës, që janë ndaluar nga strukturat serbe të sigurisë, më 14 qershor, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe të mërkurën gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës. Megjithatë, autoritetet serbe pretendojnë se ata janë “arrestuar” nga njësitet anti-terror të strukturave serbe të sigurisë brenda territorit të Serbisë.

Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të rrëmbyer nga strukturat serbe të sigurisë të mërkurën, reagimin e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare lidhur me këtë rast dhe dënimin e Serbisë për agresionin e shfaqur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial.

Arrestimi i tre policëve kosovarë nga njësitet elitare të Policisë së Serbisë në vijën kufitare me Kosovën, ndodhi pikërisht në një periudhë tensionesh të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar serbë etnikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *