April 24, 2024

Munda të gjej faksimilen e një telegrami të rrallë të presidentit amerikan Woodrow Wilson për Shqipërinë, kur ai ishte duke u larguar nga Konferenca e Paqes e Parisit në qershor 1919. Përmbajtja e telegramit ka qenë pak a shumë e njohur, por tani kemi një fotografi të origjinalit.

Aty thuhet:
“Desha që, përpara largimit, t’ju shpreh juve dhe kolegëve të tjerë, interesimin tim shumë të thellë për fatet e Shqipërisë. Kam frikë se mos në morinë e gjërave të tjera që mund të duken më të ngutshme dhe më të rëndësishme, nënvlerësohet vëmendja që duhet t’u kushtohet atyre të drejtave. Ju lutem të tregoheni shumë të kujdesshëm sa u përket atyre”.Telegrami, që mban datën 30 qershor, 1919, është dërguar nga anija SS George Washington me të cilin udhëtonte presidenti.

Wilsoni qëndroi në Paris 6 muaj e gjysmë për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes, ku mes të tjerash do të vendoseshin edhe fatet e Shqipërisë së pas luftës.
Pas diskutimeve të shumta, çështja e Shqipërisë mbeti e pazgjidhur. Diskutohej sidomos për një protektorat italian. Një pjesë e delegacionit shqiptar kërkonte që mandatin mbi Shqipërinë ta merrte Amerika. Ata ngulnin këmbë që Amerika t’i jepte Shqipërisë një trupë të vogël ushtarake për detyra policore, një guvernator civil me ekspertë të qeverisjes dhe një hua prej disa milionë dollarësh, që vendi të mund ta shlyente me naftën dhe burime të tjera.

Plani iu dorëzua Wilsonit dhe ai kërkoi mendimin e ekspertëve që kishte marrë në Paris. Ideja e një mandati amerikan doli e parealizueshme. Fitoi ideja e një protektorati italian, por skemat e fqinjëve për copëtimin e Shqipërisë e komplikuan gjendjen.

Wilsoni trembej se pas ikjes së tij nga Parisi, Shqipëria do të copëtohej. Ky është edhe kuptimi i telegramit që ai i dërgonte sekretarit të tij të shtetit, Robert Lansing. Nga Ilir Ikonomi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *