March 3, 2024

Jo shumë pas publikimit të incizimeve ku tregohen keqpërdorimet me rezervat shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje filluan me linçimin e zyrtarit që refuzoi të nënshkruante dokumente të cilat konfirmonin pranimin e grurit për rezervën shtetërore, megjithëse 9 tonë nga kontrata e nënshkruar mungonin. Dhe çështja për të cilën po flasin ata, nuk është mungesa e rezervave, por se Enver Hajrullahu, ka qenë zyrtar i Nismës.

Në një shkrim të publikuar në Facebook nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ky i fundit sulmon Hajrullahun, duke deklaruar se ka qenë pjesë e Nismës dhe duke pretenduar se u punësua në MINT përmes kësaj partie.

“Ministria që është udhëhequr për shumë kohë nga NISMA, e cila si parti është njohur dhe e çertifikuar për punësime partiake e familjare në administratë publike, po na paraqitet të jetë me plotë staf civil të ndershëm që po e mbrokan ligjin e shtetit, si puna e këtij Enver Hajrullahut – që në fakt na qenka një ish funskionar i NISMA-s, i cili nga asambisti i NISMËS punësohet si Certifikues në MINT në kohën e PAN!” – shkroi ai.Një shkrim i ngjajshëm u shpërnda edhe nga Arianit Beqiri, asistenti i Kurtit.Ky megjithatë, pretendoi pa asnjë fakt se Nacionales i janë dhënë incizimet nga Enver Hajrullahu.

2014 – “Kush është Nisma për Kosovën”
Por, kur jemi te Nisma Socialdemokrate, një prej personave më të afërt të kryeministrit Albin Kurti, ka qenë pjesë e këtij subjekti politik.

Bëhet fjalë për Jeton Zulfajn, këshilltarin politik kryeministrit Kurti, i cili më herët ka qenë këshilltar i Fatmir Limajt.

“Kush është “Nisma për Kosovën”!” – kështu titullohej një shkrim i Zulfajt në vitin 2014, ku ai lavdëronte këtë parti të re në skenën politike.

“Kjo është Nisma – një hapësirë politike për veprim që ka për qëllim ofrimin e mundësisë për të gjithë ata që konsiderojnë se kanë çka të kontribuojnë për vendin por që strukturat nuk u kanë mundësuar hapësirë, që konstelacionet politike i kanë kufizuar dhe që tjetërsimi i zhvillimeve në kuadër të politikës dhe i institucioneve nuk i ka lejuar.” – shkruante ai mes tjerash.2020 – Këshilltar i Kurtit
Në vitin 2020, kryeministri Albin Kurti e kishte emëruar Jeton Zulfajn si këshilltar politik.

Natyrisht, se në prezantimin e tij, Zyra e Kryeministrit s’e kishte përmendur që ka qenë pjesë e Nismës, derisa tregonte titujt që mbante ai.

“Ka qenë vullnetar, aktivist dhe anëtar i shoqërisë civile dhe ka punuar në projekte të shumta në përmirësimin e politikave publike në integrimet evropiane, në prokurimin publik dhe politikat kundër korrupsion.” – thuhej ndër të tjera në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Për fund, sa i përket “Aferës Gruri”, siç dëgjohej në incizimin e publikuar nga Nacinale, Enver Hajrullahu nuk pranoi ta nënshkruante dokumentet që konfirmonin pranimin e grurit për rezervën shtetërore, megjithëse 9 tonë mungonin.

Edhe me probleme shëndetësore e duke u trajtuar në spital, Hajrullahu thirret në një takim në Ministrinë e Tregtisë e Industrisë për ta diskutuar këtë situatë. Aty, situata ishte “një llugë e madhe”.

Kështu të paktën e përshkruante vetë Enveri në incizimet që i ka publikuar gazeta Nacionale. Fillimisht ministrja Hajdari “iu kap certifikuesit” lidhur me faktin që ai nuk po e nënshkruante. E më vonë, pasi që Drejtori i Thesarit, Ahmet Ismaili, i jep të drejtë certifikuesit, Hajdari kapet me pjesën tjetër të stafit përfshirë sekretarin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *