
“Ne e dimë saktësisht se ku është kufiri”, Listës Serbe i dhemb deklarata e ambasadorit amerikan
Lista Serbe i ka reaguar ambasadorit të ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili tha se “ne e dimë saktësisht se ku është kufiri, është në veri të Mitrovicës”.
Partia më e madhe e serbëve të Kosovës tha se se ata nuk mund ta kuptojnë deklaratën e Hovenierit dhe se politikën e tyre, ata do ta vendosin vet e jo me diktimin e dikujt tjetër.“Përfaqësuesit e Listës Serbe kudo që janë dhe këdo që do të takohen, gjithmonë do të përfaqësojnë interesat e popullit serb, sepse është detyrë e jona ndaj qytetarëve që mbështesin partinë tonë. Gjithashtu duam të theksojmë se politikën tonë gjithmonë e kanë vendosur organet e Listës Serbe duke respektuar interesat e qytetarëve tanë dhe jo me diktimin e askujt dhe se kështu do të vazhdojë”, thuhet në reagim.
Tutje, kjo parti tha se si në Uashington, e edhe në secilin qytet, ata do të luftojnë për të drejtat e popullit serb dhe qëndrimin e tyre.
Kujtojmë se sot gjatë ditës, ambasadori i ShBA-së, Jeffrey Hovenier, tha se Shtetet e Bashkuara kërkojnë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet në veri kurdo që ato mbahen.
“Siç e kam thënë shumë herë, ne e dimë saktësisht se ku është kufiri, është në veri të Mitrovicës, apo jo? Dhe kështu, ne kërkojmë që Lista Serbe të luajë rolin e saj si parti politike në një Kosovë sovrane, demokratike dhe të pavarur. Ne nuk e konsiderojmë atë si parti politike serbe, ne e konsiderojmë si një parti të serbëve etnikë në Kosovë, duhet ta bëj të qartë këtë pikë”, tha Hovenier.