March 2, 2024

Alarmi i Vjosa Osmanit në Tiranë për planin Vuçiq-Putin: Të gjithë shqiptarët duhet të qëndrojnë të bashkuar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha në Tiranë se i gjithë rajoni është në një sfidë përballë një plani të përbashkët të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Osmani gjatë vizitës në Shqipëri tha se shqiptarët në rajon duhet të qëndrojnë të bashkuar, pasi ajo që po ndodh në veri, sipas saj është në fakt një përpjekje për ta zbatuar planin rus.

“Nuk duhet të lejojmë që plani i Putinit të zbatohet nga Vuçiqi në Ballkanin Perëndimor”, tha Osmani.

“Duke e zbatuar në përpikmëri planin që Putini e pati zbatuar në vitin 2014 kundër Ukrainës, Vuçiqi dhe Serbia po synojnë ta destabilizojnë gjithë Ballkanin Perëndimor, e nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë ta atakojnë sistemin e vlerave mbi të cilin qëndron Bashkimi Europian dhe NATO. Pra, duhet ta shohim të gjithë pikturën e cila është shumë më e madhe sesa zhvillim në një vend apo në një rajon”, tha ajo.

“Prandaj edhe në mbrojtje të këtyre vlerave të përbashkëta dhe të asaj që e kemi arritur me shumë mund e sakrificë, që është shteti i pavarur e sovran i Kosovës në kufijtë aktualë, duhet të qëndrojmë të bashkuar të gjithë shqiptarët në rajon në radhë të parë, por bashkë me aleatët tanë që na kanë ndihmuar të vijmë deri te ky moment”, theksoi ndër tjerash Osmani, në një konferencë të përbashkët për media me presidentin shqiptar, Bajram Begaj.

Në këtë pikë, ajo shprehu bindjen që ndërmjet kryeministrave Albin Kurti dhe Edi Rama, “çdo diskutim i momentit që mund të ketë involvuar mospajtime tashmë është tejkaluar”.

Osmani tha se “mungesa e sigurisë në një pjesë ndikon në mungesën e sigurisë dhe stabilitetit në gjithë Ballkanin Perëndimor”.

“Më lejoni ta qartësoj një gjë: nuk është situata në veri ajo që e ka acaruar dialogun Kosovë-Serbi, është Serbia ajo që gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë nëpërmjet sulmeve të njëpasnjëshme ndaj Kosovës. Nuk ka javë që kalon që dikush nga Serbia nuk gjuan me armë policët e Kosovës që janë në territorin e Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

Ajo përmendi se “Serbia vazhdimisht fut armatim në Kosovë” dhe “vazhdimisht trajnon grupe kriminale në ushtrinë serbe”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *