April 24, 2024

Maliqi për Kurtin: Së shpejti do të jetë në lëkurën e Hashim Thaçit në dy javët e fundit të Konferencës së Rambujes

Publicisti Shkelzen Maliqi, ka komentuar deklaraten e kryeministrit të Kosovës për prestigjiozen amerikane, Bloomberg, rreth pasojave që po shkaktojnë masat ndeshkuese të BE-së ndaj Kosovës. Ai ka folur për atë se çfarë e pret kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin në procesin e dialogut të lehtësuar nga Bruskeli.

Maliqi për Albanian Post, ka thënë edhe pse kryeminisri Kurti ka folur në Bloomberg për pasojat nga masat ndeshkuese ai nuk ka pranuar se strategjia e tij gjatë tensioneve në veri mund të ishte e gabuar.

“Me deklaratën e tij Albin Kurti, nuk i referohet çështjes nëse dhe sa ka gabuar vetë me strategjinë dhe taktikat e tij, çka do të thotë se nuk ka reflektuar mirë mbi procesin dhe pse jemi nën sanksione. Ai vetëm pranon se sanksionet tashmë kanë treguar efekt, po e lëndojnë Kosovën si shtet, janë të goditura planet e agjencive qeveritare, dhe për herë të parë qahet edhe se është duke u dëmtuar komuniteti i bizneseve tona”, thotë Maliqi për Albanian Post.

“Nëse do ta bënte këtë, do ta rrënonte edhe platformën populliste mbi të cilën arsyetoheshin veprimet e qeverisë së tij, ku edhe e gjente burimin arroganca e pashembullt e një shteti në ndërtim dhe ende i papërfunduar, në raport me vendet e Perëndimit, që e kanë konceptuar dhe ndihmuar krijimin e shtetit të Kosovës, të cilit shtet Kurti i dilte me vite kundër gjatë të gjitha fazave të ndërtimit të tij”, shton Maliqi.

Tutje, publicisti ka shpjeguar pse kryeministri Kurti e kishte vështirë të tërhiqej sipas udhëzimeve të aleatëve gjatë kohes së tensioneve të fundit në veri.

“Në të vërtetë, pasi që masat e ‘sundimit të ligjit’ të Qeverisë Kurti shkaktonin krizat në terren, ai bënte si me zor tërheqjet e detyrueshme taktike, duke iu bindur kërkesave të aleatëve, por sikur besonte se me këto taktika, përkundër qortimeve, po arrihet edhe efekti i demaskimit dhe komprometimit të Beogradit dhe të serbëve ekstrem në Veri të Kosovës, sepse reagimet e tyre do të duhej të shiheshin si rrezik për eskalim dhe luftë, krahas masave të Qeverisë që ai i quante implemnentim i standardeve të demokracisë së avancuar”.

“Madje, kryeministri Kurti sikur ka menduar se përleshja e nxitur e serbëve radikalë me forcat e KFOR-it, që u sollën për të vendosur rendin në momentin më kritik, do të sjell favor Kosovës. Me retorikën e tij Kurti thoshte se ‘Qeveria jonë po merr masa demokratike të sundimit të ligjit në Kosovë, kurse Beogradi dhe radikalët serb e duan luftën në Kosovë’. Prandaj akuzonte të gjithë kritikuesit e tij, para se gjithash Edi Ramën dhe liderët evropian, por edhe sekretarin e shtetit të SHBA-ve Blinken-in, se janë politikisht naiv, duke mos e kuptuar se çka përfaqëson Serbia dhe Aleksandar Vuçiç”, thotë tutje.

Me pas, Maliqi ka folur për procesin e Dialogut, ku ka bërë një koment tejet interesant.

Ai tha se së shpejti Albin Kurti do të jetë në lëkurën e Hashim Thaçit në dy javët e fundit të Konferencës së Rambujes.

“Qeveria Kurti e ka edhe një ballafaqim me ofensivën diplomatike për përfundimin e dialogut me Serbinë, ku Kurti është zotuar për jetësimin e Marrëveshjes së Ohrit. Nëse është i sinqertë, do të duhej të reflektonte mbi obligimet, realizmin e të cilave i ka marrë përsipër. Së shpejti ai do të jetë në lëkurën e Hashim Thaqit në dy javët e fundit të Konferencës së Rambujes kur edhe Kurti vetë ishte pjesë atyre forcave të UÇK-së që e kërcënonin me jetë nëse nënshkruan marrëveshjen. A do ta ketë Kurti guximin e Hashim Thaçit?”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *